Ndonëse në vendin tonë është në fuqi moratoriumi i pyjeve, ato vazhdojnë të priten pa kriter. Edhe pse miratimi i këtij moratoriumi u arrit me sukses, zbatimi i tij në terren lë për të dëshiruar. Nga raportimet e marra në faqen tonë dhe fotografitë shihet qartë prerje masive pyjesh pa asnjë standard. Situata paraqitet e njëjtë me disa vite më parë, në kohën kur Moratoriumi nuk ishte në fuqi. Sipas raportimit, prerjet kanë ndodhur në fshatrat përreth Pukës.
Baza ligjore e shkelur:
Në rastin konkret gjendimi në shkelje flagrante të ligjit Nr. 5/2016 “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republiken e Shqipërisë”, i cili në Nenin 2 “Objekti” percakton shprehimisht se: “Objekti i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, tregtimi i produkteve të tij, ndalimi i eksportit të lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit, si dhe i qymyrit të drurit.”, duke parashikuar gjithashtu në nenin 6 (Sanksionet) masat administrative përkatëse në rastin e shkeljes së këtij ligji si masa të forta frenuese.
Gjithashtu rasti përbën një vepër penale. Konkretisht, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë nenet 205-206-206/a-206/b, në rastet e dëmtimit dhe shkatërrimit të pyjeve në përgjithësi, si dhe të prerjes së pemëve dekorative dhe frutore përveç kundërvajtjeve penale që dënohen me gjobë, është parashikuar shprehimisht dënimi me burgim në masa të ndryshme.