Më datë 03 Maj 2017 është gjetur e vrarë një breshkë deti (Caretta caretta) në bregdetin e Durrësit. Breshka dyshohet të jetë goditur në kokë dhe kjo mund të ketë shkaktuar ngordhjen e saj. Caretta caretta është një lloj i rëndësishëm dhe në nivel botëror mbart statusin E rrezikuar.
Në rastin konkret kemi një shkelje të gjerë të bazës ligjore dhe konkretisht:
Të ligjit Nr. 9587, datë 20.7.2006 “Për Mbrojtjen e Biodiversitetit”, i përmirësuar me ligjin Nr.68/2014. Në nenin 20, pika 1 të këtij ligji citohet shprehimisht se: “Kapja, marrja, mbajtja dhe përdorimi i individëve të llojeve të kafshëve dhe bimëve të mbrojtura janë të ndaluara…” Ndërkohë në nenin 23, pika 1, shkronjat “a-d” (Statusi për mbrojtjen e llojeve veçanërisht të mbrojtura) të po këtij ligji specifikohet se ndalohet vrasja, shqetësimi e qëllimshëm, marrja e vezëve nga foleja, dëmtimi i folesë apo vëndeve të qëndrimit, mbajtjes, transporti apo shitja e këtij lloji. Kryerja e këtyre veprave të paligjshme sanksionohet në bazë të nenit 53, pikave 1 dhe 2, dhe ndëshkohet me masë administrative nga 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë, bazuar në nenin 54, pika 2, shkronjat “a-k” dhe pika 3, shkronjat “a -b”. Dënimi me gjobë, shoqërohet edhe me konfiskimin e llojeve apo materialeve gjenetike si dhe të mjeteve me anë të të cilave është kryer veprimi i paligjshëm.